Samuel Beckett / Tavan

becket foto

TAVAN

I ardhur në vete shikon fillimisht një të bardhë. Pas njëfarë kohe së ardhuri në vete shikon fillimisht një të bardhë të zbehtë. Gjatë njëfarë kohe pas ardhjes në vete sytë mbeten të mbyllur. Kur më në fund hapen janë përballë asaj të bardhe të zbehtë. Vetëdije me sy të mbyllur e ardhjes në vete. Kur më në fund hapen janë përballë asaj të bardhe të zbehtë. Vetëdije e vagullt me sytë nergut të mbyllur e ardhjes pjesërisht në vete. Kur më në fund hapen nergut janë përballë asaj të bardhe të zbehtë. Vetëdije e vagullt me sy të mbyllur vetë e ardhjes pjesërisht në vete. Kur më në fund hapen vetë janë përballë asaj të bardhe të zbehtë. Më larg nuk mund të shkosh.
Mirë pra.
Asnjë vetëdije nga ku ikur. As se si. As e kujt. As ardhur nga ku. Ardhur pjesërisht. As se si. As e kujt. As nga gjë. Përveç asaj vagullie të ardhjes në vete. Ardhjes pjesërisht në vete. Me frikën e të qenit përsëri. Pjesërisht përsëri. Përsëri diku. Përsëri disi. Përsëri dikush. Frikë e vagullt lindur fillimisht vetëm nga vetëdija. Vetëm nga vetëdija e vagullt. E vërtetuar më në fund kur më në fund sytë hapen vetë. Përballë asaj të bardhe të zbehtë. Nga ajo e bardhë e zbehtë. Më larg nuk mund –
Mirë pra.
Vetëm vetëdije e vagullt fillimisht. Vetëm e vetëdijes. Vetëm e ardhur në vete. E ardhur pjesërisht në vete. Pastaj më e zymtë edhe e trupit. Në pamje të asaj të bardhe të zbehtë edhe e trupit. I ardhur në vete edhe ai. I ardhur pjesërisht në vete. Kur më në fund sytë hapen vetë. Më larg nuk –
Mirë pra.
Diçka e dikujt të ardhur në vete. Të ardhur diku. Të ardhur disi. Fillimisht vetëm vetëdija. Diçka vetëm e vetëdijes. Pastaj më e zymtë edhe e trupit. Diçka edhe e trupit. Kur më në fund sytë hapen vetë. Përballë asaj të bardhe të zbehtë. Më larg –
Mirë pra.
E bardhë e zbehur nga fryma. Frymë pa fund. Pa fund që fundon. E shtrenjta pamje e kobshme.

Përkthyer nga Alket Çani