François Villon

villon foto

Fragmente nga TESTAMENTI

XXII

Vajtoj unë kohën e rinisë
Kur si unë askush s’bëri ç’desh
Deri në prag të pleqërisë,
Por sesi iku, s’mora vesh.​
Me këmbë s’iku, afërmendsh,
Dhe as me kalë; po vallë si?
Seç fluturoi e kund s’u ndesh
Dhe më la me kryet në hi.

XXIII

Rinia iku dhe unë ngela
Si i panxënë e i paditur,
I trishtë, i zi si manaferra,
I mjerë, thatim e i uritur.
Bile dhe çerri më i mitur
I fisit tim për fis s’më mban,
Më bëri hasha krejt papritur
Ngaqë nuk kam një dyshkë mënjanë.

XXV

Vërtetë që dhe kam dashuruar
E që do dashuroj gjithmonë;
Po barku bosh, zem’r e trishtuar
(Ah, do ta them sa s’është vonë)
Nga shteg i dashurisë më zbon.
Po mirë, një tjetër të zdërhallet,
Ndonjë që e ka plot katonë,
Me plëndës bosh s’ke nge për valle!

XXVI

E di, po të kisha studiuar
Në kohë të marroqes rini,
Po t’isha djalë i edukuar
Do kisha vatër e shtëpi.
Po çne! Si djalli nga temjani
Ikja, e lija shkollën pas.
Tek shkruaj këto fjalë tani
Zemra për pak sa s’po më plas.

XXIX

Ç’u bënë ata qejflinj plot hir
Që në të ri i ndiqja pas,
Në fjalë e këngë aq të mirë,
Në të thënë e të bërë po aq?
Disa vdiqën, u tretën paq,
Prej tyre s’mbeti gjë në botë:
Në parajsë u prehshin në paqë,
Të gjallët i ruajtë Zoti!

XXX

Falë Zotit ca u bënë zotërinj,
Njerëz të nepsit e të namit;
Të tjerët lypsarë fatzinj
Q’e shohin bukën prapa xhamit;
Disa të tjerë i ranë lapsit
Dhe murgj u bënë në manastir,
Veshur e mbathur simbas rastit:
Kush pasanik e kush fakir.

XXXI

Të mëdhenjtë bëfshin të mbara,
Rrofshin në paqë e qetësi,
Do Zoti i madh, se s’kanë të sharë,
Për ta më mirë mos pipëtij.
Por fukarenjve ditëzinj
Si unë, durim Zoti u dhëntë!
Sa për të tjerët, kanë tepri,
Aq sa të hanë edhe qëntë.

XXXIII

Ç’është e vërteta unë po dal
Jashtë teme me këto përshkrime;
Nuk jam gjykatës që të fal
Apo që të ndëshkoj gabime:
S’jam më i miri i botës sime
Lavdi Jezu Krishtit t’uruar!
Ua shpërblefsha në gëzime,
Po shkrova ç’qe për t’u shkruar.

Përktheu Alket Çani