Arthur Rimbaud / Anija e dehur

rimbaud photo

ANIJA E DEHUR

Tek merrja teposhtë lumenjve të pandjenjë,
Nga detarët nuk ndihesha më e drejtuar.
Lëkurëkuq të krisur i kishin marrë shenjë,
Cullakë nëpër shtylla i kishin ngallmuar.

E shkujdesur isha për ekuipazhet gjithmonë,
Mbartës gruri flamand a pambuku anglez,
Kur me detarët e mi mbaroi ajo zezonë,
Lumenjtë ku të doja më lanë që të zbres.

Ndër dallditë e egra që sillnin baticat,
Dimrin e shkuar më e shurdhër se truri i fëmijës,
Vrapova! Dhe Gadishujt që filluan të nisen,
Dot s’e duruan një kaos më ngadhënjyes.

Zgjimet bregdetare m’i bekoi stuhia.
Më e lehtë se shtupa vallëzova valëve
Që i quajnë vërtitëse të përjetshme viktimash,
Dhjetë net pa keqardhje për sytë kaqolë të farëve!

Më i ëmbël se molla e ëmbël për fëmijtë,
Kafkullin prej bredhi uji i gjelbër ma shpon
Dhe njollat e verërave blu e vjellnitë
M’i shpëlau, duke shkundur litar e timon.

Në Poemën e Detit lahem qysh aherë,
Stërpikur me yje dhe me qumësht ngjyruar,
Duke përpirë kaltërsitë; në syprinë nganjëherë
Një i mbytur pluskon me pamje të menduar;

Ku, duke tenjosur kaltërsitë, deliret
Dhe ritmet e ngadalta nën flakërimet ditore,
Më të forta se alkooli, më të gjera se lirat,
Tharmojnë ato prekla të idhta dashurore!

Njoh qiejt që pëlcasin duke shkrepëtyer
Dhe mbrëmjet me rrjedha, sajna e ciklone,
Si popull pëllumbash, Agimi i ngazëllyer,
Kam parë dhe njeriun nën haluçinacione!

Kam parë diellin e ulët me tmerre mistikë,
Që dritë vjollcë hidhte mbi ca shtangime varg,
Porsi ata aktorët e teatrove antikë
Fërgëllima flegrash dallgët çonin larg!

Natën e ëndërrova të blertë e me dëborë,
Puthje që në sy detesh ngjitet me ngadalë,
Vërtikun qarkullues të limfës së panjohur,
Zgjimin verdh-e-blu të fosforëve këngëtarë!

Muajt e plotë, ndoqa, si poshtërsi histerike,
Dallgëzimin e ujit nëpër sulme shkëmborë,
Pa menduar se këmbët e Marive të ndritshme
Mund t’u thyenin turirin Oqeanëve gulçorë!

Ju e dini, Florida të pabesueshme ndesha,
Që lulet me sy panterash lëkurënjeri
Shkartisnin, dhe Ylbere si kapistra të ndera
Nën horizonte detesh, nëpër trumba mavi!

Kam parë si tharmohen moçale të mëdha,
Xunkthe ku kalbet një Leviatan i tërë!
Mes bunacave shembje ujërash hata,
Dhe largësi që humbasin si uji në rërë!

Akuj, diej argjendi, qiej të zhuritur!
Ngecje të neveritshme përfund nëpër gjinj,
Ku gjarprinj viganë nga çimka të gëlltitur
Bien, nga pemë e shtrembër, me parfume të zinj!

Do doja t’u tregoja këto dorada fëmijëve,
Peshqit e artë, të valëve kaltëroshe këngëtarë.
Gjithë shkuma e luleve m’i nanuriti nisjet,
Dhe krahë më dha të shkoj puhia e paparë.

Shpesh, lodhur prej polesh e zonash, martire,
Ngashërimi i detit ëmbël më ka tresuar,
Lule terri me kupa të verdha më sillte,
Dhe mbetesha ashtu, si grua e gjunjëzuar.

Gadishull, që më lëkund mbi borde trazira
Dhe glasat e zogjve telendisës, syçelur.
Lundroja, ndërsa në të brishtët zinxhirë
Praptazi ca të mbytur zbrisnin duke fjetur!

Ndërkohë, anije e humbur nën floknaja gjinjsh,
Flakur prej uraganit në eterin e shterur,
Veloret e Hansëve dhe Kryqëzorët gjithë
S’e nxirrnin dot skeletin prej ujit të dehur;

Në tymnajë, në mjegulla manushaqe, e lirë,
Unë që shpoja qiellin si mur kuqësie
Që mbart, reçel i ëmbël për poetët e mirë,
Stërpikje diellore edhe qurra kaltërsie,

Që rendja dhe elipse elektrike më mbuluan,
Me shpura hipokampësh të zinj, dërrasë e marrë,
Kur goditjet e çomangeve të korrikut i rrënuan
Qiejt e përtejdetit nëpër zgavrat plot zjarr;

Unë që dridhesha nga vajtimet andej e tëhu,
Epshi i Behemotëve dhe Maelstromët e trashë,
Tjerrëse e përjetshme e shtangimeve blu,
Më vjen mall për Europën me ledhet e lashtë!

Ujdhesa dhe arkipelagë yjorë kam parë
Me qiej jerm që kthjellen kur lundrimi nis:
– A ka netëve pa fund, kur arratinë ke marrë,
Miliona zogj të artë, o Fuqi e ardhmërisë?

Kam qarë shumë, vërtet! Agimet plot pikëllim.
Gjithmonë hëna e tmerrshme, idhnak dielli gjithë:
Dashuria e hidhur më dehu me plogështim.
Le të shpërthejë kalluma! Deti le t’më thithë!

Kur për ujë Europe më merr malli herë-herë,
Në muzgun erëmirë, shoh një fëmijë të trishtë,
Që lëshon, nëpër pellgje të ftohtë e të errët,
Si fluturat e majit, një anije të brishtë.

Më s’mundem, o valë, kapitjes suaj e larë,
Rrymit të anijeve me pambuk të shkoj,
As të rroj nën shirita dhe flamuj krenarë,
As nën të tmerrshmit sy galerash të lundroj.

E përktheu Alket Çani