Alket Çani

 

SHTRATI I PROKRUSTIT

Kështu na iku jeta –
Duke u endur rrugëve që s’të çojnë askund,
Duke na ndjekur pas kudo ku shkuam
Pendesa shekullore e një çasti.
Përgjatë gjithë udhës dëgjuam
Jehonën e thatë të harresës së pemëve,
Lëngatën e zverdhur të diellit, pamë
Si dendësohej para syve tanë
Mjegullnaja e pluhurit dhe mëdyshjeve.
Toka jonë qe një sferë e zbrazët, pothuaj e padukshme,
Që e rrotullonim mes gishtash dhe për qiell
Kishim krahët prej bakri të Zogjve të Stimfalit.
Me një shkulm të lehtë e të pashmangshëm
Era na vërtiti, si gjethe të plakura,
Nëpër vise të tjerë, nën qiej të tjerë
Po aq të njohur për ne, nëpër rrugë të reja
Që ishin njëlloj si rrugët ku ecëm.
Koha qe vdekja jonë, fati ynë i vetëm,
Mundësia e vetme, e vetmja portë e hapur,
Gjersa gjetëm më në fund këtë shtrat të ëndërruar,
Ku kishim qenë të ngujuar gjithë jetën.

 

SODITJE

I.

Ata që janë larg na vijnë rrallë edhe në ëndrra,
Hapin dyer, numërojnë shkallë, lënë rrangulla fjalësh dhe ikin,
Pa ndonjë hartë në duar, përmes frakturave të ajrit.
Por koha rrjedh gjer në thelbet e gjërave
Jo duke lënë gjurmë por duke bërë ; dhe nata
Çliron nga flatrat e mbyllura britmën e lagësht të qetësisë
Mbi rrugën, pluhurin dhe kangjellat e gjumit.
Ç’mërzi e trupit mbi shtrat, ç’ankth i trupit mes çarçafësh,
Ç’lëvizje gjymtyrësh e më në fund ç’mendim
Do na bëjë të veçohemi nga harresa ?
Hiatus ëndrre, mungesë ligjërimi, thatësi e zhguallit të botës
Që prekin shqisat tona pa e kapur dot kuptimin
E asaj shenje pranë agut që befas na shfaqet
Me pamje të fshehur, me sy të mbuluar.

II.

Na duhet të mësohemi me mungesën e vetmisë.
Pamje e pambaruar, mendim i dalë papritmas
Nga pamundësia e mendimit; dhe afet e mërzisë
Vijnë e ikin pa e prekur praninë e vdekjes.
Ç’hapësirë e pandjeshme na mban jashtë hapësirës?
Zgjimi na lë çdo ditë shijen e hidhur të dobisë
Dhe rrënojat e akteve të pritshëm dhe tiparet
E kotësisë së dëshirave të ngulmëta.
Hiatus ëndrre, tepri ligjërimi, shterpësi e zhguallit të botës
Dynden në gjumin tonë pa e kapur dot kuptimin
E shenjave që bën ahti dhe agori i trupit.
Kumbim i mbytur i kujtimit të gjërave, harresë e brishtë,
Tinguj të zbrazët – gjurmë të palënda. Vetmia
Priret të na largojë nga ajthi i vetmisë.

[Nga libri Shtrati i Prokrustit, 2004]