Paul Claudel

claudel foto


ERRËSIRË

Unë jam këtu, tjetra është atje, dhe heshtja na sfilit:
Jemi fatkeqë dhe Satanai na kalon në sitë.
Unë vuaj dhe tjetra vuan dhe nuk ka shteg kalimi
Mes meje dhe asaj, nga tjetra tek unë as fjalë as takim.
Asgjë tjetër veç natës së nemitur që na ka mbuluar,
Natës së plogët dhe tmerrit të dashurisë së munguar,
Vë veshin dhe jam i vetëm dhe lemeria më mbyt.
Dëgjoj shëmbëllimin e zërit të saj dhe një britmë.
Dëgjoj një erë të lehtë dhe më rrëqethet mishi.
Shpëtojeni nga rreziku i vdekjes dhe nga goja e Bishës!
Ja mes dhëmbësh sërish tek ndiej shijen e vdekjes,
Krisjen, trazimin e stomakut dhe trandjen e shembjes.
Isha i vetëm në presë, rrushin në delir duke ngjeshur,
Asaj nate kur ecja pas muresh dhe shkrihesha së qeshuri.
Ai që bëri sytë, pa sy nuk do më shohë dot?
Ai që bëri veshët, pa veshë s’do më dëgjojë dot ?
E di që aty ku mëkati është i plotë, aty mëshira Juaj është edhe më e plotë.
Duhet të lutemi, sepse është ora e Princit të botës.


Përkthyer nga Alket Çani