Léopold Sédar Senghor

leopold-sedar-senghor-foto


GRUA E ZEZË

Grua e zhveshur, grua e zezë
Veshur me ngjyrën tënde që është jetë, me formën tënde që është bukuri!
Jam rritur në hijen tënde; butësia e duarve të tua më mbulonte sytë.
Dhe ja tek, në zemër të Verës e të Jugut, të zbuloj, Tokë e premtuar, nga lartësi e një qafe të lartë e të shkrumbuar
Dhe bukuria jote më zhurit mu në zemër, si shkreptima e një shqiponje.

Grua e zhveshur, grua e errët
Frut i arrirë me tul të fortë, dehje të errëta vere të zezë, gojë që ma bën lirike gojën
Savanë me horizonte të kulluar, savanë që fërgëllon nën dhelet plot afsh të Erës së Lindjes
Tamtam i skalitur, tamtam i tendosur që gjëmon nën gishtat e fitimtarit
Zëri yt i thellë prej kontraltoje është kënga shpirtërore e Dashnores.

Grua e zhveshur, grua e errët
Vaj që s’e rrudh asnjë frymë, vaj i qetë në ijët e atletit, në ijët e princave të Malit
Gazelë me kularë qiellorë, perlat janë yje mbi natën e lëkurës sate
Ëndje të lojërave të mendjes, pasqyrimet e arit të kuq mbi lëkurën tënde shkëlqyese
Në hijen e floknajës, ndriçohet ankthi im në diejt e ardhmë të syve të tu.

Grua e zhveshur, grua e zezë
Këndoj bukurinë tënde kalimtare, formë që e ngulit në Përjetësi
Para se Fati ziliqar ta kthejë në hi për të mëkuar rrënjët e jetës.

Përkthyer nga Alket Çani