Jean Tardieu

tardieu foto


KËNGË VAJI E FOLJES JAM

Do të jem nuk do të jem më do të jem kjo guriçkë
do të jesh do të jem nuk do të jem më
kur nuk do të jesh më do të jesh
kjo guriçkë.

Kur do të jesh kjo guriçkë është tashmë
sikur të ishe të mos ishe më,
do kisha humbur ke humbur kam humbur
paraprakisht. Jam tashmë tashmë
ky gur i brimuar që nuk dëgjon
që nuk shikon nuk lëviz më.

Së shpejti dje nesër në çast
tashmë jam isha do të jem
ky send i gjetur i pajetë i harruar
nën gërmadha a në zjarr a në barin e ftohtë
a në pellgun me ujë, gur i brimuar
që simulon një mërmërimë a fishkëllen e që hesht.

Nga uji nga hija dhe nga dielli i mbytur
send pa sy pa buzë i zi mbi të bardhë
(syri gjys-i-mbyllur për të ndjellë të qeshura
apo vetëm një dhëmb për të ndjellë frikë)
isha do të jem jam tashmë
fjala e vetmja pa fund gjithmonë e njëjta ripërtypur.


NJË UDHË

Një udhë që është një udhë
pa qenë një udhë
mbart atë që kalon
dhe atë që nuk kalon

Ajo që kalon tashmë ka kaluar
në çastin që e them
Atë që do të kalojë
nuk e pres më nuk e arrij dot

Dridhem kur emërtoj gjërat
ngaqë secila merr jetë
dhe vdes mu në çastin
kur e shkruaj.

Unë vetë shuhem
si gjërat që them
në një tollovi të fortë
zhurmash, britmash.


ASNJË VEND

Nuk ka
asnjë vend
këtu
as tjetërkund.

Këtu nuk ekziston.
Tjetërkund nuk është.
Nuk kemi asgjë
për të kërkuar.
Të presësh është e kotë.

Duhet të banosh kohën
e shumëfishtë,
asaj t’i ngjash.

Me të si ajo
pa u ndalur
kaloj
duke u thënë lamtumirë
ditë pas dite
figurave
që nata
marramendëse
i rrëmben.

Përkthyer nga Alket Çani