Janis Ricos

yannis-ritsos-foto

EROTIKET

[fragmente]

Epsh –
përtej lindjes,
përtej vdekjes;
i mbramë, i përjetshëm
i tanishëm.

*

Prek gishtat
e këmbëve të tua.
Ç’botë e pafund.

*

Në vetëm pak netë
si vallë ngrihet e shembet
botë e tërë?

*

Tani
hapi dhe pulsi im
kanë ritmin
e frymëmarrjes sate.

*

E ç’më duhen yjet
kur ti nuk je me mua?

*

Tjetër banesë nuk kam.
Banoj në trupin tënd.

*

Thoi i gishtit tënd të vogël
më i gjerë se deti.
Në ç’udhëtim po më merr?

*

Trupi yt
më huton,
më rrethon.
Shtrihem e befas brof
brenda teje.

*

Shtrati, cigaret,
trupi yt gjithkund –
statuja e gjakut tim.

*

Marr çekiçin,
gdhend ajrin,
bëj statujën tënde
të hapur,
hyj brenda,
dhe qëndroj.

*

Gjithçka të bukur
e thërras me emrin tënd;
zogj, male, net
dëgjojnë dhe përgjigjen.

*

Trajta e trupit tënd
deltinë
mes pëllëmbëve të mia
bëhet shtambë,
vazo,
nëntë statuja
dhe një shqiponjë.

*

Kujtimi i duarve të mia për ty
është më i thellë se kujtesa.

*

U zhveshëm.
I mbyllëm jashtë derës
shtëpitë, qentë,
kopshtet, statujat,
vdekjen.

*

S’të marr në telefon.
Të hesht.
Të jam.
Netëve,
kur boshatisen parqet,
flas me statujat.

*

Po t’i shihnim bashkë
do ishin më të bukura –
gjethet e kuqe,
kodrat e gjelbra,
porta me kangjella,
shiu.
Por kur jemi bashkë
nuk shohim asgjë.

*

As sonte s’është hënë e plotë.
Mungon një copë.
Puthja jote.

 

Përkthyer nga Alket Çani