Gérard de Nerval

nerval

FANTAZI

Është një melodi për të cilën do jepja
Krejt Rosinin, Moxartin edhe Veberin,
Një melodi e përzishme, lënguese, e vjetër,
Që veçse për mua ka sharme të fshehta.

Por përherë më ndodh kur mbaron dëgjimi,
Që shpirti më bëhet më i ri dyqind vjet:
Më kthen në kohën e Luigjit Trembëdhjetë…
Ku shoh një kodrinë që e zverdh perëndimi.

Pastaj një kështjellë me kënde të gurtë,
Me xhama të lyer me ngjyra të kuqe,
Rrethuar nga parqe të gjerë, dhe një lumë
Që themelet ia lag e rrjedh përmes lulesh.

Pastaj shoh një zonjë, në dritaren e vjetër,
Flokëverdhë e syzezë, me një fustan të rëndë…
Që, ka shumë gjasa, në një jetë tjetër
Ta kem parë tashmë – e që më vjen ndërmënd!

 
NJOLLA E ZEZË

Kushdo që ngultas diellin me sy ka vështruar
I duket se ka parë si fluturon me ngulm
Përreth tij, në ajër, një njollë e irnuar.

Kështu dhe unë, i ri, edhe më guximtar,
Një çast mbi lavdinë guxova sytë t’i ngul:
Një njollë e zezë m’i ngeli shikimit lakmitar.

Qysh aherë, mbi gjithçka, si shenjë ogurzezë,
Në çdo vend ku syri më ndalet ndonjëherë,
E shoh të qëndrojë dhe ajo, njollë e zezë! –

Pa reshtur mes meje dhe lumturisë! Përherë?
Oh! vetëm shqiponja – o kob, kobi ynë! –
Sodit e pandëshkuar Diellin dhe Lavdinë.


EL DESDICHADO

Jam Terrani, – Vejani, – i Pangushëlluari,
Princi i Akuitenës në Kullën e vithisur:
Ylli i vetëm më vdiq, – dhe lahutë e yjëzuar
Më sjell Diellin e ziMelankolisë.

Në natën e Varrit, Ti që m’ke ngushëlluar,
Pozilipon dhe detin e Italisë më sill,
Lulen që ma donte zem’r e dëshpëruar,
Pjergullën ku lidhen Rrushi me Trëndafil.

Jam Erosi a Febi?… Luzinjani a Bironi?
Ballin e kam të kuq nga puthje e Mbretëreshës;
Kam ëndërruar në Guvën ku noton Sirena…

Dhe dy herë fitimtar përshkova Akeronin:
Tek luaja në lirën e Orfeut, pas radhës,
Psherëtimat e Shenjtores dhe klithmat e Zanës.


NË KOPSHTIN E LUKSEMBURGUT

E gjallë dhe e shkathët si një zog
Shtegut të kopshtit shkoi një vajzë e re:
Një lule të freskët mbante në dorë,
Në buzë kishte një këngë të re.

Ndoshta në botë ajo është e vetmja
Me zemrën e së cilës do më puqej zemra,
Që natën e thellë të shpirtit tim
Do ma ndriçonte me një vështrim!…

Por jo, – rinia ime tashmë ka mbaruar…
Lamtumirë, o rreze e ëmbël që më ndrite, –
O vajzë, o harmoni, o erëmime…
Lumturia shkonte, – ajo ishte shuar.


EPITAF

Jetoi herë i gëzuar si zogu në pemishtë,
I dashuruar, moskokëçarës, zemërndjerë,
Herë i zymtë e ëndërrtar si Klitandër i trishtë.
Një ditë prej ditësh i trokitën në derë.

Ishte Vdekja! Atëherë ta priste pak iu lut
Sa t’i vinte dhe pikën sonetit të fundit;
Dhe pastaj pa u prekur, shkoi drejt e u fut
N’arkëmortin e ftohtë ku i dridhej trupi.

Gjithçka desh të dinte, por asgjë nuk njohu.
Kishte qenë përtac, historitë me ç’thonë,
Pendën në kallamar e ngjyente shumë rrallë.

Dhe kur erdhi çasti, nga kjo jetë i lodhur,
Që vdekja e rrëmbeu, një natë dimri të vonë,
Iku duke thënë: “Pse kisha ardhur vallë?”


Përkthyer nga Alket Çani