Francis Jammes

jammes foto

ME DJALIN QË JEP SHPIRT…

[Agoni]

Me djalin që jep shpirt në prehrin e së ëmës
teksa fëmijë të tjerë lodrojnë nëpër lëmë;
me zogun e plagosur që nuk e di si flatra
papritmas i përgjaket e bie përmbi baltra;
me etjen dhe urinë dhe me jermet e zjarrta:
Ju përshëndes, Mari.

[Fshikullim]

Me kalamajtë e rrahur nga sarhoshi në darkë,
me gomarin e zhdëpur me shqelma në bark,
me nderin që i shkelin të pafajshmit me këmbë,
me virgjëreshën e shitur që lakuriq e lënë,
me djalin që të ëmën ia ofenduan rëndë:
Ju përshëndes, Mari.

[Kurorëzim me gjemba]

Me lypësin që s’pati kurrë kurorë tjetër
përveç një luzme grerash, shoqe drurësh të vjetër,
dhe skeptër tjetër s’pati veç për qentë një shkop;
me poetin që balli i kullon gjak e lot
nga gjembat e dëshirave që s’i përmbushi dot:
Ju përshëndes, Mari.

[Mbajtje e Kryqit]

Me plakën që, tek i merren këmbët nga mundi,
thërret “O Zoti im!” Me fatziun që s’mundi
krahët mbi dashuri njerëzore t’i kumbisë
si mbi Simonin Kryqi i Birit të Perëndisë;
me kalin e rrëzuar nën qerren që zvarris:
Ju përshëndes, Mari.

[Kryqëzim]

Me katër horizontet që kryqëzojnë Botën,
me gjithë ata që mishi u tretet tok me kockën,
me ata që janë pa këmbë, me ata që janë pa duar,
me të sëmurin që e operojnë edhe që vuan
dhe me të drejtin që mes vrasësve e rreshtuan:
Ju përshëndes, Mari.


Përkthyer nga Alket Çani