Charles Baudelaire

portrait_de_charles_baudelaire_ok_chromie


BALLKONI

Dashnore e dashnoreve, o mëmë e kujtimeve,
O ti, ëndjet e mia! Borxhet e mia, ti!
Ndërmende bukurinë e atyre ledhatimeve,
Hijeshinë e muzgjeve, të vatrës ëmbëlsi,
Dashnore e dashnoreve, o mëmë e kujtimeve!

Mbrëmjet e përflakura nga zjarri i tymtarit,
Dhe mbrëmjet në ballkon me avuj rozë veshur.
Sa i butë gjiri yt! Zemra jote ç’e mbarë!
Gjëra të paharruara kemi thënë ne shpesh
Mbrëmjeve të përflakura nga zjarri i tymtarit.

Mbrëmjeve të nxehta me diej të pashuar!
Sa e fuqishme zemra! Hapësira – e pafund!
Mbi ty i përkulur, mbretëreshë e adhuruar,
Besoja se thëthija aromën e gjakut tënd.
Mbrëmjeve të nxehta me diej të pashuar.

Pastaj si natë e ngjeshur bashkoheshim të dy,
Sytë e mi në errësirë sytë e tu zbulonin,
Dhe pija frymën tënde, o helm, o ëmbëlsi!
Këmbët e tua më flinin në duart vëllazërore.
Pastaj si natë e ngjeshur bashkoheshim të dy.

Kam dhuntinë të ndërmend lumturinë tonë të vjetër,
Të rishoh të shkuarën mbi prehërin tënd i shtrirë.
Kapitëset bukuri ku vallë t’i kërkosh tjetër
Veçse në trupin tënd, zemrën tënde të mirë?
Kam dhuntinë të ndërmend lumturinë tonë të vjetër.

Po bekimet, erëmimet, puthjet pa mbarim,
Mos vallë do lindin prej të panjohurës humnerë,
Siç ngjiten lart në qiell diejt e përtërimë
Mbasi janë larë në fund të deteve të thellë?
– O bekime, erëmime, o puthje pa mbarim!


ËNDËRR PARIZIANE

I.

Në lemerinë e këtij peizazhi,
Pa frymë njeriu, fare bosh,
Këtë mëngjes ende imazhi,
I vagullt, i largët, më josh.

Gjumi mrekullitë s’i sos !
Për trille të rralla prore
Kisha flakur prej tablosë
Gjitha kaoset bimore,

Për këtë talent me krenari,
Shijoja në atë pikturë
Dehësen monotoni
Të metalit, mermerit, ujit.

Babeli me shkallë e harqe,
Ish një pallat pa mbarim,
Plot hauze dhe ujvara
Që binin mbi arin e nxirë;

Dhe kataraktë të rënduar,
Porsi perde prej kristali,
Vareshin duke shkreptuar
Përgjatë muresh metali.

Jo pemë, por kolonada
Rreth pellgut dremitës ka,
Ku vështroheshin najada,
Në pasqyrë, porsi gra.

Uji me fasha blu derdhej,
Skelash roz-e-blertë midis,
Përgjatë miliona legash
Drejt caqeve të gjithësisë;

Gurë të panjohur kishte
Dhe valë magjike shqim;
Kish pasqyra që u jepnin
Gjitha gjërave shkëlqim !

Gangë, në kupën e qiellit,
Të shkujdesur e fjalëpakë,
Thesarin e urnave derdhnin
Në gremina diamanti.

Si një arkitekt magjish,
Pas qejfit tim kisha bërë
Nëpër një tunel stolish
Të shkonte oqean i tërë;

Çdo gjë, dhe ngjyra e zezë,
E qartë dukej, e ndriçuar,
Lëngu lavdinë i magjepste
Në rrezen e kristalizuar.

As gjurmë dielli, as yje,
As në fund të qiellit s’kish,
Për të ndritur mrekullitë,
Që zjarrmonin brendësish !

E mbi rrjedhëset mrekulli
Kundronte (oh, ç’lajm i tmerrshëm!
Jo për veshët, po për sytë!)
Një qetësi e përjetshme.

II.

Tek hapa sytë plot flakërim
Kasollen pashë të mjeruar,
Dhe ndieva në shpirtin tim,
Thumbin e brengave të mallkuara;

Sahati me zë të përzishëm
Mesditë kumbonte brutalisht,
Dhe qielli derdhte errësirat
Mbi botën e mpirë e të trishtë.


SPLEEN

Kur qielli helm e vrer rëndon si një kapak,
Nëpër mërzitë e gjata, mbi shpirtin që dënes,
Kur hapësirën e mbyt horizonti me lak
E më të trishtë se netët na derdh ditën e zezë;

Kur toka shndërrohet në një birucë të lagësht,
Ku Shpresa, me flatrën e vet të shtangur
Godet muret e ashpër, si një lakuriq nate,
Dhe kokën e përplas në tavanët e kalbur;

Kur shiu hedh litarët e tij të pareshtur,
Që në burgun e pafund me hekurat ngjajnë,
Dhe një turmë merimangash të ndyra heshtur
Vjen të thurë rrjetat thellë truve tanë,

Papritur me tërbim shpërthejnë kambanat
Dhe ulërijnë frikshëm drejt qiellit me shkulm,
Si shpirtra bredharakë pa fund e pa anë
Që nisin ofshamat e grahmat me ngulm.

Dhe pa muzikë, as tambure kalojnë arkëmortet
E më hyjnë në shpirt; Shpresa qan tani
Krejt e plakur dhe Ankthi idhnak e mizor,
Mu brenda në kafkë më ngul flamurin e zi.


SODITJE SHPIRTËRORE

Ji e urtë, o Dhimbja ime, më e qetë ji.
Ti Mbrëmjen thërrisje; ja ku vjen me endje:
Qytetin errësira e mbulon krejt tani,
Disave u sjell paqe, të tjerëve vramendje.

Ndërsa turmë e gjerë e njerëzve trushkulur,
Nën kamzhikun e Qejfit, xhelatit mizor,
Shkon të vjelë pendime në festën e përulur,
Eja, pra, o Dhimbja ime, ma jep dorën,

Larg tyre. Shih si përkulen Vitet e vdekur,
Mbi ballkonët e qiellit, me vjeturina veshur;
Pendimin duke qeshur si del nga thellësitë;

Diellin, që jep shpirt, përgjumur nën një hark,
Dhe, si qefin i gjatë që Lindja e zvarrit,
Dëgjo, dëgjo, e dashur, si ec e ëmbla Natë.

Përkthyer nga Alket Çani