Ambrose Bierce / Arrestimi

bierce foto

ARRESTIMI

Ngaqë kish vrarë kunatin, Orin Brauer, nga Kentaki, kish marrë arratinë për t’i shpëtuar drejtësisë. Nga burgu i kontatit ku mbahej i mbyllur në pritje të procesit gjyqësor, ishte arratisur pasi kish plandosur përtokë gardianin me ndihmën e një shufre hekuri, i kish marrë atij çelësat, kish hapur portën kryesore dhe kish ikur nëpër natë. Duke qenë se gardiani nuk kish qenë i armatosur, Braueri s’kishte me çfarë ta mbronte lirinë e rifituar. Me të dalë nga qyteti, ai bëri marrëzinë të futej në pyll. (Kjo ka ndodhur para shumë vitesh, atëherë kur ajo zonë ka qenë shumë më e egër se sot.)

Ishte një natë krejt e errët, pa hënë e pa yje dhe, meqenëse Braueri s’kishte jetuar kurrë atyre anëve e s’e njihte aspak vendin, nuk vonoi shumë dhe humbi. Tani e kishte të pamundur të thoshte nëse po i largohej apo i afrohej qytetit – gjëja më e rëndësishme për Orin Brauerin. E dinte se, në të dyja rastet, një grup burrash bashkë me kopenë e langojve do t’i binin së shpejti në gjurmë dhe se shanset për t’u arratisur sërish ishin shumë të pakta ; por ai nuk donte t’i ndihmonte ta ndiqnin. I leverdiste të kishte qoftë edhe vetëm një orë më tepër liri.

Papritmas doli nga pylli, mori një rrugë të vjetër dhe, atje, mu përpara vetes, iu shfaq silueta e mjegulluar e një burri, e palëvizshme në errësirë. Ishte shumë vonë për t’ia mbathur ; i arratisuri e kuptoi se sapo të bënte lëvizjen e parë për t’u kthyer mbrapsht e për t’u futur në pyll, do ishte bërë, siç e shpjegoi më vonë, « shoshë me saçma ». Kështu, që të dy ndenjën atje si pemë, Braueri që po mekej nga rrahjet e zemrës dhe tjetri (reagimet e tjetrit nuk janë shënuar).

Një çast më vonë – ndoshta një orë – hëna rrëshkiti në një cep qielli pa re dhe të ndjekurit i kapi syri mishërimin e kulluar të Ligjit që ngriti armën e që shenjoi qartazi drejt e përtej tij. E kuptoi. Duke i kthyer shpinën atij që kërkonte ta kapte, ai eci i bindur në drejtimin e caktuar, duke mos vështruar as majtas as djathtas, duke guxuar vetëm sa për të marrë pak frymë, me kokën dhe shpinën të mbërthyera nga një dhimbje e mprehtë e shkaktuar nga ideja e një shkarkimi të pashmangshëm saçmash.

Braueri ishte po aq trim sa çdo kriminel tjetër në botë, i dënuar me varje ; këtë e patën treguar rrethanat tmerrësisht të rrezikshme për të, në të cilat kishte vrarë gjakftohtësisht kunatin. Është e panevojshme t’i përmendim këtu ; ato u vunë në dukje gjatë procesit gjyqësor dhe gjakftohtësia e tij në përballjen me to mend ia shpëtoi lëkurën.

Po s’ke ç’i bën !… Trimi pasi mposhtet, dorëzohet.

Kështu ata vazhduan udhën në drejtim të burgut, nëpër rrugën e vjetër mes pyllit. Vetëm një herë Braueri kuturisi të kthejë kokën mbrapa ; vetëm një herë ai vështroi mbrapa, kur u ndodh në terrin e dendur dhe kur pikasi që tjetri ndodhej nën dritën e hënës. Burri që po e ndiqte ishte Bërton Dafi, gardiani, i zbehtë si vdekja, me vragën mavi të shufrës së hekurit në ballë. Orin Braueri nuk deshi të dijë më shumë.

Më në fund ata u futën në qytet. Rrugët ishin të ndriçuara, por të shkreta. Gratë dhe fëmijët ishin mbyllur nëpër shtëpi. Krimineli vazhdonte të ecte përpara, në drejtim të burgut. Ai eci drejt hyrjes kryesore, mbështeti dorën mbi dorezën e portës së rëndë prej hekuri, e shtyu pa marrë urdhër, hyri brenda dhe u gjend para një gjysmë duzine burrash të armatosur. Pastaj ktheu kokën. Askush tjetër nuk hyri pas tij.

Mbi një tryezë, në korridor, dergjej kufoma e Bërton Dafit.

E përktheu Alket Çani