Alket Çani / Shpikësi i harmonive

SHPIKËSI I HARMONIVE

“Dhe di punë, punë, punë,
Mund pa fund për art magjie.”
Lasgush Poradeci

Nga gjithë poetët shqiptarë, askush, në shkallën e poezisë, nuk është ngjitur më lart se Lasgush Poradeci. Natyrisht që në poezinë shqipe ka poetë në dukje më të rëndësishëm se ai, ndoshta më të thellë e më të prirur ndaj mendimit abstrakt, por askush nuk është më poet se Lasgushi. Poezia e Lasgush Poradecit u përket atyre veprave të cilat kalimi i kohës, në vend që t’i zbehë e t’i bëjë të humbin në peshë, përkundrazi, i forcon dhe ua rrit rëndësinë, ua bën më të pranishme ekzistencën.
Talentin e tij të pakundërshtueshëm, Lasgushi diti ta shoqërojë me një punë të madhe e të mundimshme. Pikërisht këtu më duket se qëndron shkaku i përligjjes së një qëndrese kaq të sigurt të veprës së tij ndaj kohës. Ky mund i madh ka vetëm një synim: të bëjë një vepër sa më jetëgjatë. Dhe për këtë qëllim ai është përkujdesur, më tepër se për gjithçka tjetër, për atë aspekt të veprave letrare që është ndoshta çelësi i jetëgjatësisë së tyre e që quhet Formë. « Ka vetëm formë, thoshte Frédéric Mistral-i, vetëm forma i ruan veprat e mendjes. » Ka vetëm formë: domethënë ka ritëm, rima, kult të kompozicionit, simetri, eufoni, antiteza, me një fjalë të gjitha ato elemente të ndjeshme të cilat janë të prirura t’u rezistojnë shkaqeve të larmishme të zhdukjes që kanosin shprehjet e mendimit.
Lasgushi nuk shpërfill asnjë element të formës; asnjë teknikë vjershërimi, asnjë kombinim gjuhësor, asnjë manovër stili nuk është për të e huaj. Shpeshherë të krijohet përshtypja se Lasgushi bën ç’të dojë dhe jo, siç bën pjesa tjetër e poetëve, ç’të mundet. Ai është nga ata poetë që i shterojnë thuajse të gjitha mundësitë e ligjërimit. Të duket se, në poezitë e tij, nuk ka asgjë të tepërt dhe asgjë të mangët; çdo fjalë, çdo ritëm, çdo zgjedhje metrike, çdo zgjedhje strofike është menduar mirë para se të zbatohet në varg dhe në poezi. Gjithçka është në vendin e duhur. Në çfarëdo faqe që ta hapësh librin e Lasgushit nuk gjen aty asnjë varg të dobët; asnjë dobësi formale. Përveç kësaj, askush, para dhe pas Lasgushit, nuk e ka parë aq imtësisht ligjërimin poetik si një gjuhë që duhet shpikur; askush, si ai, nuk ka patur ambicjen për ta ngjizur dhe zotëruar në tërësinë e vet sistemin e shprehjes verbale.
Ky mjeshtër i fonetikës poetike, – që sa më shumë mbështetej në poezinë popullore aq më tepër i largohej stadit të poetit primitiv, – me anë të një interesi të madh për tingujt dhe fjalët, me anë të muzikalitetit dhe plotësisë së vargut, duke e ngritur poezinë në nivelin e këngës, të ndërmend ato formulat me karakter ritual e magjik që quhen yshtje e që u shërbejnë njerëzve si armë për të mposhtur dukuritë e padëshiruara të natyrës, apo për të ndjellë të dëshiruarat. Forcë e fjalëve për të zbërthyer universin. Univers i tretur në fjalë poetike – e tillë është poezia e Lasgush Poradecit.

*

Në një letër të 12 dhjetorit 1950, Lasgushi i shkruan Shevqet Musarajt : « Po ju dërgoj sot « Poetë rumunë », antologji e poezisë progresiste […] me të cilën jam ngarkuar duke marrë angazhim ta dorëzoj brenda vitit […] Kam bërë një shqipërim izometrik, izoritmik, izosinual dhe izosonal poezi për poezi dhe varg për varg. Edhe atje ku rima ose asonanca është divizionale (dy fjalëshe) kam ruajtur në shqipet intencionin formal të autorit. Kjo metodë e iso-ve kërkon, siç e di, 20 herë punë më shumë dhe 20 herë mundim më të madh sesa metoda pa iso. Po pasi e mendova çështjen një vetëdije arti më tha: Më mirë mundim dhe poezi sesa lehtësirë – dhe non-poezi. Dhe kështu bëra […] »
Dhe kështu bënte Lasgushi, ky shpikës harmonish, edhe kur shkruante poezitë e veta. Kjo letër, ndër të tjera, na lejon ta kuptojmë këtë. Ata që përdorin mënyra të tilla e dinë mirë se ç’punë vigane, ç’operacione të vështira, ç’lodhje mendore duhen. Këto lloj mundimesh janë më të mëdha e më të thella se mundimet e Sizifit. Dhe, nga ana tjetër, janë nga ato mundime që të shërbejnë për diçka, që të mësojnë diçka, madje shumë. Nga gjithë kjo punë e heshtur dhe e duruar, nga gjithë ajo përpjekje për të njëjtësuar përsiatjen poetike me zotërimin e gjuhës, është e pamundur që Lasgushi të mos krijonte një sistem poetik vetjak e që ne mund ta dallojmë të sendërtuar në poezinë e tij.
Një sistem poetik lasgushian, aspekti themelor i të cilit është, pa dyshim, uniteti i brendshëm i poezisë. Ky unitet i brendshëm, kjo arkitekturë e sigurt mund të ndërtohet vetëm nëpërmjet një lufte të ashpër e të vazhdueshme të vetes me veten, të dëshirës me mundësinë, të kaosit me rregullin, të lëvizjeve kontradiktore apo simetrike të mendimit, të pranimeve me refuzimet. Nga kjo luftë mund të dalë i humbur poeti, por asnjëherë poezia. Të duket sikur përjetësisht, Lasgushi ka patur një vetëdije të përkorë për të shkrirë, në punën e tij krijuese, idenë e një lloj poezie absolute, ose pothuajse absolute, që ai kishte formuar, me të gjitha bukuritë dhe rigorozitetin e realizimit të kësaj poezie.
Do të doja ta mbyll këtë shënim me një vjershë jo shumë të përmendur të Lasgushit, por ku duket ndoshta, sipas mendimit tim, më haptazi se kudo gjetkë në poezinë e tij, qëndrimi dhe vlerësimi ndaj marrëdhënies midis frymëzimit të jashtëm, atij me origjinë hyjnore, dhe frymëzimit të brendshëm që lind nga puna e poetit, e pandërprerë dhe metodike. Lasgushi, mendoj, favorizon këtë të fundit.

Vesa dhe Loti

I mburrej vesa lotit me një të shkrepur djelli :
Përdhe ndaj baltësirës ty fat’i zi të flaku :
S’më shëmbëllen ti mua që jam një bijë qjelli,
Që jam e motr’ e erës dhe shoq’ e çdo zambaku.

Dhe loti tha : « Vërtet ! më lindi dhembj’ e zezë,
Dhe dal nga syr’ i vuar i zemrës njerëzore :
Po kur se ti prej qjellit pikon vetëm përdhezë,
Un’ ik nga balt’ e rëndë drejt kaltërsish qiellore.

Aksioni poetik i Lasgush Poradecit është aksioni i një njeriu që përmasohet në vetvete, që ndaj lirive, në art, parapëlqen kufizimet, që në vend të prodhimit të bollshëm vramendet për cilësinë, që « gjeniut » i kundërvë punën e mundimshme. Një poet i tillë shkruan rrallë e më rrallë. Që këtej, në sytë tanë, ai merr pamjen e një klasiku. Në kohën e grafomanisë dhe eksperimenteve të skajshme, të brishtësisë dhe paqëndrueshmërisë së shijeve, të shndërrimeve të shpejta të vlerave, të modave dhe risive të luhatshme, të zhdukjes së përpjekjeve për qëndrueshmëri të veprave letrare, – dukuri karakteristike të botës së sotme – Lasgushi, falë qëndresës së paepur, punës së vullnetshme, durimit mundimtar, refuzimeve dhe heshtjes ka ditur ta ngrejë emrin dhe veprën e tij në shkallën e një emnese dhe t’i kuptojë jetëgjatësisë së veprave të artit sekretin: gjithçka është çështje mase.