Adonis

adonis-foto

POLENË

Ëndrra u çel portën e vet dashnorëve
që i premtojnë se do vijnë
e që nuk vijnë asnjëherë.

*

Drita ka fytyrë
por nuk ka angra.
Terri ka angra,
jo fytyrë.

*

Hapi krahët,
më pëlqen të shoh si mes tyre dridhet
kujtesa ime.

*

Me gjuhën bëjmë elegjinë e gjërave.
Me çfarë e bëjmë elegjinë e gjuhës?

*

E mbaja diellin për nyelli
kur dilte prej natës së vet:
qe çasti më i bukur i fëmijërisë.

*

Nuk mjafton të ëndërrosh,
duhet edhe të dish
t’u dhurosh një shtrat ëndrrave.

*

Armikun e dua të bukur.
Zgjohem krejtësisht
vetëm në kokën e tij.

*

Emërtoj hiçin dhe shpërblej jetën.
Kështu i flet poezia fuqisë së kohës.

*

Më kujtohet: në fëmijëri
fshati ynë kish ngjyrën e hënës.
Kur zgjohej,
vinte një karrige mbi supe
që dielli të mund të ulej.

*

Çdo natë trishtimi vë një llambë
te nënkresa e gëzimit
dhe deshifron historinë e dashurisë.

*

Më jep, o kohë, kokën që ke humbur
dhe unë do të të jap trupin që ti kërkon.

*

Natyra nuk plaket
përveçse në një gjë: fjalët.

*

Koha e harron gjuhën e vet
kur trupi nis të flasë.

*

Në fshatin tonë ajri është poet endacak.
E dëgjojnë dritaret.

*

Çdo ditë dielli më lë ca letra
përbri dritares.
Vetëm nata di t’i lexojë.

*

Falënderoj kohën.
Ajo më merr në krahët e saj
dhe zhduk rrugën mbas vetes.

 

Përktheu Alket Çani