Guillevic / Art poetik

guillevic foto

Eugène Guillevic

ART POETIK
(fragmente)

Çka besoj që s’e di,
Çka s’e kam në kujtesë,

Është çka më së shpeshti
E shkruaj në poezi.

*

S’ke për të mbaruar pra kurrë?

Edhe një poezi,
Edhe një,

Ky mendim të bezdis
E madje të brengos.

Kjo nevojë për pafundësi
Që vë në lëvizje detin.

Por nëse një herë
Do ndaleshe në vend,

Do ishe një zgavër
Midis dy dallgëve.

*

Ka utopi
Në fijen e barit

Pa të
Nuk do rritej.

Ka utopi
Në kaltërsi

E madje
Në një qiell gri.

Pa utopi
Nuk do kishe shkruar

Përderisa duke shkruar,
Atë çka kërkon

Është më mirë ta njohësh
Aty ku të shpie utopia jote.

*

Shkruaj për lavdinë,
Shkruaj edhe për lavdinë,

Jo për atë që japin,
Për atë që i jap vetes.

Lavdinë e të thënit vetes:
Bëra një poezi,

Ia, siç thotë Holderlini,
Dola mbanë poezisë.

*

Kjo nuk është një arsye
Për t’i bërë bisht
Asaj çka ndodh në botë.

Nuk do mundje dot.

Të gjitha ato ngjarje
Futen në ato errësi
Që janë brenda teje dhe rëndojnë.

U ngjiten atyre që shikon,
Rrugëve, peizazheve.

Ngjyrosin e trondisin
Gjërat
Që vështron.

Humusi gjithmonë të flet
Për masakra.

*

Jam në Paris,
Në apartamentin tim
Dhe më përkund deti.

Jam shtrirë mbi ujë,
Ngjitem e zbres
Me valët,

E lë veten të më marrë
Batica.
Detin gjithmonë
E kam me vete.

Më bën shoqëri
Te poezia
Që ndoshta do bëhet.

*

Po sikur poezia
Të ishte një qiri

Që të tretej
Pa u mbaruar kurrë?

*

Me fjalët
Dhe kujtimet e tyre,

Të bësh një bërthamë
Që të mund, a pothuajse,
Ta mbash në dorë,

Një bërthamë kohe.

*

Nëse lëshoj rërën
Nga dora e majtë në pëllëmbën e djathtë,

Këtë sigurisht e bëj për kënaqësinë
E prekjes së gurit të shndërruar në pluhur,

Por edhe e sidomos
Për t’i dhënë trup kohës,

Që kështu të ndiej kohën
Si rrjedh, si kullon

Por edhe për ta kthyer mbrapa,
Për ta bërë të mohojë veten.

Duke lënë rërën të rrjedhë,
Shkruaj një poezi kundër kohës.

*

Gjatë kërkimit
Të ngulmët të poezisë

Ke diçka
Prej kërmilli
Mbas shiut.

*

Ndonëse e rrënuar
Nga përdorimi i gjatë,

E ngaqë është nga ata terma
Që i quajnë poetikë,

E përdor
Fjalën kaltërsi, e shkruaj,

Sepse ajo thotë
Qiellin blu, atë blu

Të padhunuar
As nga qielli.

*

Në shkruan,
E bën këtë edhe për t’u mbrojtur –

Nga çfarë?

Çfarë të frikëson
Kur nuk ke frikë?

*

Prit. Vazhdo
Të rezistosh.

Trysnia nuk është
Krejt e fortë.

Mos shkruaj tani,
Jo menjëherë.

Mund të rezistosh
Akoma.

*

Poezia:

Një enë
Që gjen formën e saj

Dora-dorës
Që mbushet.

*

Nata bën yj,
Ti bën poezi:

Dalëngadalë,
Verbërisht.

Por nata
Ka më shumë talent.

*

Do doje të shkruaje
Ndryshe.

Të shihje nën dorën tënde,
Nën sytë e tu,

Si lindte një formë
Që s’të kujton asgjë,

Por është e kotë:
Je i dënuar.

*

Një punë: të krijosh
Tension
Midis fjalëve,

Të bësh që secila
Të thërrasë një
Apo shumë të tjera.

Ato nuk duan
Edhe aq të vijnë
Me dëshirën e vet.

Kur mbërrijnë
Janë të lidhura
Përfundimisht

Nga një heshtje
Që s’do thyhet
Asnjëherë.

*

Thuhet. Bëhet,
Nuk thuhet,

Por është
Sikur të thuhet.

Diçka kalon
Përmes të thënës,
Përpjekja për të thënë.

Prova:
Të tjerë e përsërisin
Dhe kjo i ndihmon.

*

Po ta doje veten

Siç do
Poezinë që kërkon,

Ndoshta
S’do shkruaje më.

*

Ti e di
Që nuk ka,

Që kurrë s’do ketë
Në plotësinë e ditëve të tua,

Mbërritje,

Të vërtetë,
Përfundimtare –

E megjithatë
Bën sikur të kishte.

*

S’do ketë
Diell brenda natës
Por është kujtimi i tij

Dhe fërgëllima
Që del nga takimi

Midis atij kujtimi
Dhe kthimit të ardhshëm të dritës.

 

Përkthyer nga Alket Çani

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s