Saint-John Perse / Mërgim, VII

foto perse

«…Sintaksë e shkreptimës! o ligjërim i kulluar i mërgimit! I largët është bregu tjetër ku mesazhi përndritet:
     Dy balle grash nën hirin, të prekur nga i njëjti gisht; dy flatra grash te grilat, të ngjallura nga e njëjta frymë…
     A flinit ju atë natë, nën pemën e madhe prej fosfori, o zemër lutëseje nëpër botë, o nënë e Syrgjynit, kur në qelqet e dhomës i qe thadruar fytyra?
     Dhe ti më e gatshme ndën shkreptimën, o ti më e gatshme për të brofur mbi bregun tjetër të shpirtit të tij, shoqe dhe dobësi e forcës së tij, ti, që fryma jote me të tijën qe shkrirë përgjithmonë,
     Do ulesh ti sërish mbi shtratin e tij të shkretë, në kreshpërimin e shpirtit tënd prej gruaje?
     Mërgimi nuk është i djeshëm! mërgimi nuk është i djeshëm!… Kij krupë, o grua, ndën çatinë tënde, nga kënga e zogut të Barbarisë…
     Ti s’do ta dëgjosh shtrëngatën të shumojë së largu udhën e hapave tanë nëse britma jote prej gruaje nëpër natë nuk do mësyjë sërish në folenë e saj shqiponjën e mistershme të lumturisë!…»

     … Hesht, dobësi, dhe ti, parfum nuseje nëpër natë si vetë bajamja e natës.
     Ngado bredharake mbi zallishtet, ngado bredharake përmbi detet, hesht, butësi, dhe ti prani me flatra në lartësi të shalës së kalit tim.
     Do ta rinis vrapin tim prej nomadi, duke shkuar anës detit të patjetërsueshëm… Asnjë shporiz në buzë, por mbi gjuhë sërish, si një kripë, atë tharm të botës së vjetër.
     Nitrati dhe natroni janë tema të mërgimit. Mendimet na rendin në veprim mbi pista eshtake. Shkreptima më hap shtratin e synimeve më të gjera. Shtrëngata më kot zhvendos caqet e mungesës.
     Ata që shkuan të kryqëzohen në Inditë e mëdha atlantike, ata që nuhatin idenë e re në freskitë e humnerës, ata që u fryjnë brirëve në dyert e ardhmërisë
     E dinë se në rërnat e mërgimit fishkëllejnë pasionet e larta të kruspullosura nën kamzhikun e shkreptimës… O Plangprishës ndën kripën dhe shkumën e qershorit! mbaje të gjallë midis nesh forcën e fshehtë të këngës sate!
     Si ai që i thotë emisarit, dhe është ky mesazhi i tij: «Mbuloni fytyrën e grave tona; lartoni fytyrën e bijve tanë; dhe keni urdhër të lani gurin e pragjeve tuaj… Do t’jua them nën zë emrin e burimeve ku nesër ne do lajmë një mëri të kulluar.»

     Dhe erdhi ora, o Poet, të pohosh emrin, lindjen dhe racën tënde…

 

[Nga libri: Saint-John Perse, Poezi / Botimet e Odeonit, 2013 / Përkthyer nga Alket Çani]

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s