Agota Kristof / Fshati

agota-kristof-p-pache

FSHATI

Kjo gjë po bëhej e padurueshme.
Poshtë dritareve të tij që binin nga ana e një sheshi të vogël e fort të këndshëm njëherë e një kohë, zhurma e makinave, e motorëve gërgëritës nuk pushonte kurrë.
As gjatë natës. E pamundur të flije me dritaret hapur.
Jo, me të vërtetë që kjo s’durohej më.
Fëmijët rrezikonin të shtypeshin me të dalë nga shtëpia. S’kish më asnjë minutë paqe.
Si për mrekulli, i propozuan një fermë të veçuar, të braktisur nga i zoti e që mund ta blinte për hiçmosgjë. Natyrisht që duheshin bërë ca riparime të vogla. Çatia, lyerja. Si dhe instalimi i një banje. Por edhe me këto, i binte fare lirë.
Dhe, tekefundit, ishte në shtëpinë e tij.
I blente qumështin, vezët, perimet tek fermeri fqinj për gjysmën e çmimit me të cilin do t’i blinte në dyqanet e mëdha të qytetit. Dhe ishin prodhime të pastra, natyrore.
Bezdia e vetme ishte rruga me makinë – njëzet kilometra – katër herë në ditë. Por, punë e madhe, njëzet kilometra! Një çerek ore gjë.
(Përveçse kur kishte bllokim qarkullimi, ndonjë aksident, ndonjë prishje, ndonjë kontroll policie, mjegull, ngricë, apo shumë dëborë.)
Edhe shkolla ishte pak larg, por një gjysmë ore ecje u bën shumë mirë fëmijëve.
(Përveçse kur bie shi, kur bie dëborë, kur bën shumë ftohtë apo shumë nxehtë.)
Por, në përgjithësi, ishte një parajsë e vërtetë.
Dhe ai qeshte kur, në qytet, e parkonte makinën në sheshin e vogël, shpeshherë mu poshtë dritareve të tij të dikurshme. Duke thithur gazrat e skapamentove, mendonte i kënaqur se sa mirë kish bërë që e kish shpëtuar familjen nga të gjitha këto.
Pastaj, u bë ai projekti i autostradës.
Duke parë planet e afishuara në bashki, vuri re se rruga e ardhshme me gjashtë korsi do kalonte mespërmes fermës së tij, ose diku aty pranë. U trondit thellë, por, pak çaste më vonë, diçka i shkëndijoi në mendje: nëse autostrada i kalonte përmes fermës apo kopshtit, ai do dëmshpërblehej. Dhe me këtë dëmshpërblim do mund të blente një fermë tjetër gjetiu.
Për t’u siguruar mirë, i kërkoi takim personit përgjegjës.
Ky i fundit e priti përzemërsisht. Pasi e dëgjoi me vëmendje, i shpjegoi se i kishte lexuar planet gabim, sepse autostrada do kalonte të paktën njëqind e pesëdhjetë metra larg fermës së tij. Kështu që nuk mund të shtrohej çështja e dëmshpërblimit.
Autostrada u ndërtua – vepër e madhërishme – dhe largësia nga ferma ishte saktësisht njëqind e pesëdhjetë metra.
Edhe zhurmën mezi e dëgjoje, një si zukatje e njëtrajtshme me të cilën mësoheshe shumë shpejt. Dhe i zoti i fermës u ngushëllua duke i thënë vetes se me këtë autostradë do mbërrinte më shpejt në vendin e tij të punës.
Por, nga meraku, filloi të mos e blente më qumështin te ferma fqinje, sepse lopët e saj tashmë kullotnin rrëzë rrugës së madhe, ku bari, siç e di çdokush, përmban sasi të madhe plumbi.
Gjashtë muaj më vonë, pesëdhjetë metra nga ferma, u vendosën ca rezervuarë gazi.
Dy vjet më vonë, një uzinë për djegie mbetjesh, tetëdhjetë metra nga ferma. Kamionë të mëdhenj vinin nga mëngjesi në mbrëmje dhe oxhaku i uzinës s’pushonte kurrë së nxjerri tym.
Ndërkohë, në qytet, në sheshin e vogël, qarkullimi dhe parkimi i makinave u ndaluan. Sheshin e kishin mbushur me ngastra plot lule e gëmusha, me stola dhe me një kënd lojërash për fëmijët.

Përkthyer nga Alket Çani

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s