Charles Baudelaire / Udhëtimi

baudelaire-portrait


UDHËTIMI

I.

Për fëmijën e dhënë mbas skicave dhe hartave,
Si oreksi i vet është universi, i paanë.
Sa e madhe është bota nën dritën e llambave!
Në sytë, ah, të kujtesës sa e vogël që ngjan!

Me mendjen plot flakë, ne nisemi në ag,
Zemrën plot me mëri e dëshirë që idhnon,
Dhe ikim duke ndjekur ritmin e dallgës,
Që përkund mbarimdetit pambarimin tonë:

Disa, prej vendlindjes së ndyrë, të gëzuar
Ikin, dhe të tjerë prej djepit të frikshëm,
Astrologë të mbytur në sytë e një gruaje,
Circes tirane me parfume të rrezikshëm.

Që të mos kthehen në kafshë bëhen tapë
Prej dritës, hapësirës e qiejve përvëlues;
Dhe gjurmët e puthjeve ua fshijnë ngadalë
Akulli që i grin edhe diejt mbulues.

Por veç ata që nisen janë shtegtarët e vërtetë,
Thjesht për t’u nisur; zemërlehtë si balonë,
Dhe kurrë s’i shpëtojnë fatalitetit të vet,
E, pa ditur përse, Shkojmë ! – thon’ gjithmonë.

Ata që porsi retë i paskan dëshirat,
Që ëndërrojnë, si rekruti armën me muaj,
Ëndje të panjohura, të larme, të pangira,
Që mendja njerëzore s’ka ditur si t’i quaj’!

II.

Fugën edhe topin imitojmë, sa keq!
Në hovjen e tyre; edhe në gjumin tonë
Kureshtja na mundon e na vërtit për dreq,
Si një Engjëll mizor që diejt fshikullon.

S’ka rëndësi ku është, ndoshta s’është askund,
Ndërron vend synimi i fatit vetmitar!
Njeriu me shpresën që kurrë s’u mund,
Për të gjetur qetësinë rend përherë si i marrë!

Shpirti ynë – një tridireksh që kërkon Ikarin e vet;
” Hapni sytë ! ” mbi kuvertë një zë kumbues që trëmb.
Zë i zjarrtë e i marrë nga lartësia thërret :
” Dashuri… lumturi… lavd ! “Oh dreqi! Qenka shkëmb!

Çdo ishull nga detari-rojë lajmëruar
Është një Eldorado premtuar prej Fatit;
Kështu përfytyrimi i tij i shfrenuar
Gjen vetëm një gumë nën dritat e agut.

O i gjori adhurues i vendeve kimerike!
Ta lidhim me zinxhirë, në det ta vërvisim,
Këtë detar sarhosh zbulues Amerike
Vegimi i të cilit e bën më t’idhtë abysin?

Tek zhyt këmbët në baltë, horri i vjetër kështu
Ëndërron, kryelartë, parajsa të rralla;
Me sy të magjepsur zbulon një Kapù
Gjithkund ku qiriri ndrit ndonjë rrangallë.

III.

Shtegtarë të çuditshëm, ç’histori fisnike
Lexojmë syve tuaj të thellë si deti!
Na tregoni peshtafët e kujtimeve trallike,
Stolitë e magjishme prej yjsh dhe eteri.

Shtegtimin s’e duam me avull e vela!
Që mërzinë e burgjeve tanë gazmonte,
Na kalojnë mbi shpirtra, nderur si mantel,
Kujtimet tuaja në suaza horizontesh.

Thoni, ç’keni parë ?

IV.

                                         Ne kemi parë yje
E dallgë kemi parë dhe rërë gjithashtu;
E megjithë goditjet e gjëmat e befasishme,
U mërzitëm shpesh dhe atje, si këtu.

“Lavdia e diellit sipër detit lejla,
Lavdia e qyteteve nën diellin perëndues,
Na i ndriste zemrat me një zjarr-hata
Për t’u zhytur në qiellin me pasqyrime veskues.

“Qytetet më të pasur, peizazhet e vërtetë,
Kurrë nuk e mbartën misterin plot ëndje
Të asaj çka lind rastësisht nga retë.
Dhe gjithmonë dëshira na shtyn në vramendje!

“- Epshi dëshirës së forcës i ngjitet.
Dëshirë, pemë plakë që qejfi të jep jetë,
Ndërsa lëvozhga jote forcohet dhe rritet,
Degët duan diellin ta shohin sa më shpejt!

“Do rritesh ti përherë, o pemë, me më ngut
Se selvitë? Megjithatë, për ju, me dëshirë
Kemi vjelë ca skica për albumin makut,
Vëllezër që pulë e botës ju duket më e mirë!

“Me feçkë elefanti përshëndetëm idolë,
Frone stërpikur me stoli rrezëlluese;
Pallate të bukur ku ëndja përrallore
Do jetë për bankierët një ëndërr rrënuese;

” Kostume që sytë i dehin dhe çartin;
Dhe gra që dhëmbët e thonjtë i lyejn’,
Dhe fakirë mjeshtra q’i ledhaton gjarpri”.

V.

Po tjetër, çfarë tjetër?

VI.

                                           “O mendje fëmije!

“Për të mos harruar më të rëndësishmen,
Kemi parë gjithkund, pa kërkuar aspak,
Në shkallën fatale nga kreu në bisht,
Shfaqjen e trishtë të t’pavdekshmit mëkat:

“Gruaja, skllave, idiote, krenare e përulur,
Pa e tallur e përbuzur e do si hanëm;
Burri, tiran makut, i pështirë e i shthurur,
Skllav e bir skllavi, përrua në llagëm;

“Xhelati kënaqet, vdes martiri vërtet,
Gostisë i jep gjaku shije dhe aromë;
Dhespotit i ngre nervat helmi i pushtetit,
Dhe populli kamzhikun topitës dashuron;

“Shumë religjione që tonit i ngjajnë,
Ngjiten drejt qiellit; dhe Shenjtëria,
Si në shtratin me pupla shtriqet delikati,
Mes gozhdësh e jelesh kërkon kënaqësinë;

“Humanizmi fjalaman, dehur gjeniut të vet,
Edhe tani i çmendur si dikur njëlloj,
Në agoni të tërbuar, Zotit i thërret:
“O shëmbëlltyra ime, Zot, unë të mallkoj!”

“Dhe ikin prej kopesë që Fati vë në shtrung,
Ata të Marrëzisë dashnorë guximtarë,
Duke mërguar nëpër opiumin e pafund!
– Ja kronika e përjetshme e botës mbarë”.

VII.

Ç’njohje të hidhur fiton nga udhëtimi!
Bota sot, monotone dhe e brishtë si fije,
Dje, nesër, gjithmonë, ja imazhi ynë:
Një oaz llahtare në një shkretirë mërzie!

Të shkojmë? Të rrimë? Nëse mund të rrish, rri;
Nisu, po duhet. Njëri vrapon, tjetri i ngordhur
Për të mashtruar armikun vigjilent e kobzi –
Kohën, medet ! gjenden vrapues të palodhur,

Ashtu si Çifuti endacak e si apostujt,
Që asgjë s’u mjafton, as vapori as treni,
Ka të tjerë, për t’i shpëtuar kurthit të poshtër,
Që dinë si ta vrasin pa lëvizur nga djepi.

Kur këmbën, më në fund, na e vë mbi shpinë,
Thërrasim: Përpara! dhe shpresojmë prapë.
Ashtu siç u nisëm dikur për në Kinë,
Me flokët në erë dhe sytë ngulur larg,

Do të nisemi ne nëpër detin e Territ
Me zemrën e gëzuar të shtegtarit të ri.
I dëgjoni ato zëra, magjepsës e të errët,
Që këndojnë: “Këtej, ju që doni të hani

“Lotusin me aromë! Këtu i vjelin, ja
Frutat e mrekullishme për zemrat me et;
Do vini të deheni me ëmbëlsinë – hata
Të kësaj pasditeje që fund s’do të ketë?

Me ton familjar do parathemi spektrin;
Piladët tanë na grishin me krahët në erë.
“Për të freskuar zemrën noto drejt Elektrës!”
Thotë ajo që gjunjët i puthnim atëherë.

VIII.

Ngrejmë spirancën, o Vdekje, kapiten i vjetër!
Erdhi koha të ikim, ky vend na mërzit!
Nëse qielli e deti janë si mellani të errët,
Zemrat tona që i njeh janë mbushur me dritë!

Na blato helmin tënd që të na ngushëllojë!
Mezi presim, nga zjarri që mendjen na ndez,
Të kridhemi greminës, Ferr a Qiell, njëlloj,
Në fund të së Panjohurës në kërkim të së resë!

 

Përkthyer nga Alket Çani

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s